Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka hedhur akuza ndaj opozitës së kaluar, duke aluduar në “kundërshtime të vazhdueshme” ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.
Ajo ka shkruar në Facebook, se opozita e legjislaturës së shkuar, ka përdorur instrumentet kushtetuese për t’i zvarritur ato reforma.
“Ata kanë dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese kundër amendamenteve kushtetuese për procesin e vetingut, kanë kontestuar dy herë radhazi reformën në Këshillin Prokurorial dhe kanë sfiduar po aq herë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për krijimin e Byrosë për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikuar” – shkroi Haxhiu.
.Sipas saj, partitë ish-opozitare, në vend që të japin kontribut konstruktiv për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, kanë zgjedhur një “qasje obstruksioniste”, me qëllim të zvarritjes së proceseve reformuese.Haxhiu mes tjerash ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte në opozitë ka kontestuar disa çështje në Gjykatën Kushtetuese, por sipas saj, vetëm ato që janë konsideruar të dëmshme.
“Po, edhe ne gjatë kohës sa ishim në opozitë kemi kontestuar çështje në Gjykatën Kushtetuese, por gjithnjë dhe vetëm ato që janë konsideruar të dëmshme si psh Gjykata Speciale, Zajednica, Ligji për Amnistimin e kriminelëve serb, Demarkacioni me Malin e Zi e të tjera si këto”- ka shkruar ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Megjithatë, ajo që drejton dikasterin e drejtësisë për më gjatë se katër vjet, ka shtuar se përkundër pengesave, reformat kanë avancuar.“Vetingu ka marrë dritën e gjelbër, reforma në Këshillin Prokurorial u jetësua dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, me pritje të miratohet.
Pavarësisht vonesave dhe përpjekjeve për ta ndalur këtë proces, rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme”, ka shkruar ajo.Ndërkohë, një ditë më parë, më 10.08.2025, në një konferencë për media Haxhiu ka thënë se bazuar në informatat e institucioneve të sigurisë, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe dhe i afërt me Milan Radoiçiq.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se Llaban ka qenë edhe i përfshirë në planin e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë.“Llaban ka raporte shumë të afërta me Millan Radoiçiq, pra kryeterroristin e rastit në Banjska, ku u vra Afrim Bunjaku. Në saje të këtyre raporteve të hershme, Llaban ka përfituar si prona të paluajtshme ashtu edhe punësimin e familjarëve të tij” – ka thënë Haxhiu.
Këto komente ajo i ka bërë në kohën kur Gjykata Kushtetuese ka nxjerr vendim që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda 30-ditësh, dhe se, kandidati i propozuar nuk mund të votohet më shumë se tri herë, gjë të cilën LVV-ja e ka cilësuar si “shkelje të Kushtetutës”.


