56-vjeçarja me iniciale M.A, është arrestuar nën dyshimin se bashkëshorti i saj ka uzurpuar një banesë dhe aty ka mbajtur armë, municion dhe pajisje të tjera, në rrugën “Lola Ribar” në Mitrovicë të Veriut- ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit më 05.08.2025, Policia në Mitrovicë të Veriut kanë asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), me ç’rast 56-vjeçares i kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një tytë e armës së shkurtë, një fishek, dhe një armë (të modifikuar, stilolaps).
Krahas kësaj, në banesën e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë) policia ka gjetur edhe pajisje të tjera.
“56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajror, një optikë për armë të gjatë, një kuti për mbushje të municionit, një fotrollë për pistoletë, dy gaz-maska, dy video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, një foto-aparat, një lexues (DVD), një vulë të rrumbullakët”- thuhet të jenë sekuestruar, sipas raportit të Policisë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuares, është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Teksa, siç bëjnë të ditur organet e rendit, pas intervistimit e dyshuara është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.


