Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion bastisjeje në objektin ku ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, raporton KosovaNews.
Lidhur me këtë aksion, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar se bastisjet po kryhen në bazë të një urdhri të Gjykatës dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë një aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës. Aksioni po zhvillohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala.
Për bastisjet ka folur edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani, i cili bëri të ditur se operacioni ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe po zhvillohet njëkohësisht në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Policia e Kosovës, me njësitë relevante dhe me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të zhvillimeve policore dhe në koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, deklaroi Kelani.
Forca të shumta policore janë parë që nga orët e para të mëngjesit pranë objekteve të institucioneve të përfshira në aksion. Operacioni është ende në zhvillim./KosovaNews/


