U.d. Kryeredaktori i RTK-së, Blerim Haxhiaj, ka reaguar ndaj akuzave dhe shpifjeve që, siç tha ai, janë përhapur në mënyrë të koordinuar nga disa media dhe zëra publikë, duke e lidhur atë me përfitime financiare nga një thirrje publike e Ministrisë së Kulturës.
“Një bashibozuk i gazetarisë dje bëri shpifjen e radhës dhe bashibozukët e tjerë e përhapën gënjeshtrën si zakonisht në mënyrë të koordinuar. Këta mercenarë të gazetarisë shpifën se paskam përfituar nga qeveria 100 mijë euro, duke iu referuar një thirrjeje publike të MKRS-së për skenën e pavarur kulturore kosovare. OJQ Cult Club, që përflitet nga shpifësit, po bën gati dy dekada të veprimtarisë së saj, me projekte të realizuara me sukses”, ka theksuar Haxhiaj në një postim në Facebook.
Ai tutje ka sqaruar se në vitin 2006 ka qenë njëri nga themeluesit e kësaj organizate, por që kjo është pjesë e historikut të organizatës.
“Organizata i ka strukturat e veta drejtuese dhe drejtoreshën, Elmaze Nura, bashkëshortja ime, e cila është ndër regjisoret më të suksesshme të teatrit, ish-drejtoreshë e Teatrit Kombëtar, doktore e shkencave dhe profesoreshë universitare në Fakultetin e Arteve. Cult Club ka kontribuar në skenën kulturore të vendit dhe shumë artistë, të rinj, nxënës, kanë përfituar në projektet e realizuara ndër vite, në qeveri të ndryshme si dhe me Programin Vjetor të organizatës. Megjithatë, për klubin e bashibozukëve, nuk vlen e vërteta, por spekulimi, shpifja, shantazhi dhe linçimi”, ka shtuar Haxhiaj.
Ai tutje ka thënë se kështu vepruan edhe para pak javësh pas një interviste me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“U mblodhën në disa panele të kontaminuara për të bërë ndotjen e radhës të opinionit publik. Njësoj, e bënë përpjekjen tjetër denigruese duke e ndërlidhur këtë intervistë me një OJQ me përvojë të gjatë ku unë nuk kam asnjë funksion zyrtar. Këtyre paçavureve, u them se unë kam zgjedhur të mos e shes profesionin siç kanë bërë ata”, ka nënvizuar në reagimin e tij Haxhiaj.
Ai thekson se puna e tij si kryeredaktor i RTK-së është publike dhe transparente, dhe se nuk do të dorëzohet përballë shantazheve. “Unë nuk jam si ndonjë nga bashibozukët që e merrnin dikur Albin Kurtin në veturë dhe i serviloseshin deri në studiot e tyre të kontaminuara”.
Sipas Haxhiajt, kjo fushatë e organizuar ndaj tij, si herën e kaluar, tregon se “mercenarizmi në gazetarinë e Kosovës, ka marrë përmasa alarmante”.
“Ju paralajmëroj se shqetësimet që këta shpifës po m’i shkaktojnë mua dhe familjes time, do të adresohen në organet përkatëse të drejtësisë. Mes gazetarisë normale dhe anormalitetit të klubit të bashibozukëve, natyrisht mbetem te e para, pavarësisht shantazhit që po më bëhet në pozicionin ku jam aktualisht, në krye të politikës editoriale të RTK-së. Ndërsa mediat e mercenarëve po e humbin ndikimin dhe besimin, sepse e kanë shitur profesionin, RTK po forcohet dhe mbetet dritarja kryesore e informimit korrekt në Kosovë, pavarësisht sfidave me të cilat përballet transmetuesi publik”, ka përfunduar Haxhiaj.


