Gjatë muajit që e lamë pas, gazetari Adreatik Kelmendi kishte tronditur opinionin kosovar duke e publikuar një ekskluzivitet në emisionin e tij në Klan Kosova, që më pas doli të jetë lajm i rremë.
Në këtë emision ai dha një lajm “ekskluziv” duke thënë gjoja se koordinatorja e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka kërkuar të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti.

Por, nuk kaluan as 24 orë, kur Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përmes një reagimi zyrtar, demantoi Kelmendin duke i mohuar pretendimet e tij dhe duke theksuar se vazhdon bashkëpunimin e fortë me Qeverinë e Kosovës.
“Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) riafirmon bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm dhe të fortë me Qeverinë e Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar fuqishëm ndaj prioriteteve të zhvillimit të Kosovës dhe e vlerësojmë partneritetin tonë afatgjatë me institucionet e Kosovës”, thuhej në reagimin e tyre.
Lexo po ashtu:
Edhe pse, pas këtij reagimi Kelmendi nuk u dorëzua duke thënë se “Si gazetar, e ruaj të drejtën e moszbulimit të burimeve.” duke pretenduar se lajmi është i vërtetë.
Ndërkohë, kundrejt pretendimeve të Kelmendit që tashmë zyrtarisht janë të demantıara nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, hiq më larg se mbrëmë (9 korrik) mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, shkruan KosovaNews.
Në pamjet e publikuara nga Zyra e Kryeministrit, raporet ndërmjet Kurtit dhe Koordinatores Spence, duket të jenë mjaft të përzemërta dhe bashkëpunuese.

Në fjalën e tij në këtë ngjarje, kryeministri tha se Arnhild Spence mori drejtimin si Koordinatore në një kohë trazirash globale, me botën që përballej me sfida të shumta, nga pushtimi rus i Ukrainës deri te ndikimi në kostot globale të jetesës dhe krizat energjetike. Ai tha se gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova pati fatin ta kishte Arnhild si një partnere të ngushtë të Qeverisë.

“Edhe falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer, zhvillimi i vendit tonë jo vetëm që vazhdoi në trajektoren e duhur, por edhe ka lulëzuar përkundër këtyre sfidave. Ky progres i jashtëzakonshëm vazhdon të konfirmohet në të dhënat e fundit, të cilat tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2025, ekonomia e Kosovës u rrit me një normë vjetore prej 3.6%”, tha kryeministri Kurti.

Më pas, kryeministri Kurti vlerësoi lartë mbështetjen e Koordinatores Spence, duke thënë se ajo ka luajtur një rol thelbësor në bashkëpunimin e Qeverisë me ekipin e OKB-së.
Po ashtu, potencoi se të frymëzuar nga përkushtimi juaj, do të vazhdojmë të përparojmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më shpresëdhënëse për brezat që do të vijnë./KosovaNews/


