Sërish sot mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e 43 për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Ndryshe seanca konstituive e Kuvendit, në vazhdimin e së shtunës filloi me njoftimin e kryesuesit Avni Dehari për telefonatën kërcënuese për një bombë në objektin e Kuvendit, gjatë paradites, e cila imponoi ndërprerjen e seancës të paraparë për orën 11:00 dhe thirrjen e saj për në orën 20:00, pas kontrolleve të kryera nga ekipi për deminimin e mjeteve eksploduese.
Tutje seanca vijoi me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi Dehari kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-NISMA), që ta bëjnë këtë.
Nga 74 deputetë të pranishëm në sallë, për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës votuan 39 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Dehari ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj më 7 korrik, në orën 11:00.