Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës më 5 korrik është trajtuar nga institucionet si pjesë e një sulmi hibrid me origjinë nga Serbia.
Ai ka zbuloi se numri telefonik nga i cili u dërgua kërcënimi i përket shtetasit serb Lazar Živković, ndërsa në disa profile të lidhura me këtë numër është përdorur fotografia e Ratko Mladiq, kriminel i dënuar për gjenocid, përcjell KosovaNews.
Por kush është Ratko Mladiq që ndryshe njihet si “Kasapi i Bosnjës”

Ratko Mladiq ishte komandant i Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje (1992–1995), dhe njihet si një nga figurat më famëkeqe të krimeve të luftës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, trupat nën komandën e tij kryen gjenocidin në Srebrenicë, duke ekzekutuar më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë, ndërsa gratë dhe fëmijët u dëbuan me forcë. Kjo ngjarje ndodhi në një zonë të shpallur të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Ai gjithashtu ishte përgjegjës për rrethimin katërvjeçar të Sarajevës, ku mijëra civilë u vranë nga bombardimet dhe snajperët e ushtrisë që ai drejtonte.
I dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit

Pas më shumë se një dekade në arrati, Ratko Mladiq u arrestua në Serbi më 2011 dhe u ekstradua në Hagë.
Në vitin 2017, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.
Apeli i tij u refuzua më 2021, duke konfirmuar përfundimisht dënimin.
Simbol i urrejtjes që ende përdoret në rajon
Pavarësisht dënimit të tij, Ratko Mladiq vazhdon të glorifikohet në qarqe nacionaliste serbe si “hero i luftës”, me pamjen e tij që shfaqet në murale, pankarta dhe tash edhe në profile që lidhen me akte kërcënuese dhe destabilizuese, siç ndodhi së fundmi në Kosovë.
Ministri Sveçla ka theksuar se ky rast është shqetësues dhe serioz, pasi tregon përpjekje të strukturuara për frikësim dhe nxitje të tensioneve ndëretnike, duke përdorur simbole të urrejtjes dhe kriminelë të dënuar ndërkombëtarisht.
Kosova kërkon mbështetje ndërkombëtare
“Institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke e trajtuar këtë rast me prioritet të lartë. Do të kërkojmë mbështetje ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë ata që qëndrojnë pas këtij kërcënimi,” – ka thënë Sveçla.
Ai ka shtuar se, edhe pse kërcënuesit strehohen në Serbi dhe mund të kenë përkrahje shtetërore, nuk do t’i shpëtojnë përgjegjësisë.