Oda Ekonomike dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve e kanë kritikuar Rregullatorin e Energjisë për tregun e lirë të energjisë, duke thënë se vendimi ka dëmtuar rëndë bizneset. ZRRE, ndërkaq, ka njoftuar se do të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur zbatimin e reformave në sektorin e energjisë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar se do të apelojë në instancat më të larta gjyqësore pas vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila ka pezulluar përkohësisht vendimin për dalje në tregun e hapur të energjisë për një rast të veçantë.
Për këtë ka reaguar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili për Radio Kosovën e ka quajtur këtë qasje të ZRRE-së “joprofesionale dhe kokëfortë”, duke theksuar se pezullimi i pjesshëm ka krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.
“Në momentin që një gjykatë pezullon vendimin për një biznes, ZRRE është dashur të aplikojë pezullimin për të gjitha bizneset. Përndryshe, po dëmtohet konkurrenca e lirë dhe po cenohen bizneset vendore,” ka thënë ai.
Sipas tij, vendimi për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka shkaktuar pasoja serioze.
“Kemi raste të bizneseve që janë mbyllur, janë detyruar të riorganizohen, apo kanë hequr dorë nga investime të planifikuara, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 200% deri në 400%”, tha ai.
E kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i tha Radio Kosovës se bizneset po vazhdojnë të ankohen për vendimin për dalje në tregun e lirë të energjisë në formë të detyrueshme, kurse ZRRE po i konteston vendimet e Gjykatës Komerciale.
“Prandaj vlerësojmë se bizneset e Kosovës do të duhet edhe në mënyrë individuale, secila veç e veç, të ankohen. Kurse e vlerësoj lart punën e Gjykatës Komerciale dhe e ftojmë të marrë vendime të drejta dhe të shpejta në favor të drejtësisë, e që në këtë rast bizneset janë me dhjetëra duke i fituar rastet”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, ZRRE në reagimin e saj ka theksuar se vendimi për treg të hapur ka pasur karakter informues dhe jo detyrues. Po ashtu, rregullatori njofton se paditë e ngritura nga konsumatorët dhe organizatat ekonomike në Gjykatën Komerciale dhe në Gjykatën Themelore janë refuzuar nga gjykatat si të pabazuara.
“ZRRE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet ligjore”, thuhet në reagimin zyrtar të tyre.
Çështja e tregut të hapur të energjisë vazhdon të mbetet një temë përplasjeje ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit, me pasoja të drejtpërdrejta për sektorin privat dhe klimën investuese në vend.