Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është deklaruar sërish i pafajshëm për akuzën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në nisje të gjykimit, Krasniqi dha deklarimin lidhur me fajësinë para trupit gjykues.
Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në procedurë.
Prokurori special, Dren Paca, fjalën hyrëse e dorëzoi me shkrim për gjykatën dhe mbrojtjen e të akuzuarit, duke e elaboruar shkurtimisht.
Prokurori Paca tha se në këtë gjykim do të provohet se Krasniqi ka mundësuar tregtimin e energjisë elektrike operatorit që nuk është akredituar nga ZRRE-ja, duke shkaktuar dëm në shkallë të lartë.
“Pas administrimit të provave, pa mëdyshje gjykata do të bindet se i pandehuri ka kryer këto vepra dhe do ta shpallë fajtor”, tha prokurori Paca.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga, në fjalën hyrëse deklaroi se procedura është iniciuar nga prokuroria bazuar në një kallëzim penal anonim, ku sipas tij, kallëzuesi nuk është identifikuar.
Avokati Ibrahimaga tha gjithashtu se i mbrojturi i tij ka vepruar në përputhje me detyrimet ligjore të Kosovës.
“I vetmi faj i zotit Krasniqi është se ka vepruar në pajtim me detyrimet ligjore të Kosovës dhe ka vepruar drejtë, gjë që i ka penguar operatorët e licencuar nga ZRRE-ja, të cilët përmes lobimit kanë arritur që ZRRE-ja të ndryshojë qëndrim dhe të lejojë importimin e energjisë vetëm nga operatorët që i ka licencuar vetë”, tha ndër të tjera avokati Ibrahimaga.
Sipas planifikimit të gjykatës, për sot ishte parashikuar dëgjimi i dy dëshmitarëve, mirëpo nga Posta e Kosovës u kthyen fletëkthesat me njoftimin se adresa është e paplotë.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, njoftoi palët se gjykata do të urdhërojë Policinë e Kosovës që të verifikojë adresat për këta dy dëshmitarë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë.
Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.
Kjo përgjigje e grupit punues, sipas Prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.
“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.
Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.
I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të palicencuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.
Me konfirmimin që drejtori operativ, Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas Prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.
“Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.
Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.
Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK më 19 maj 2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungesë të licencës se lëshuar nga ZRRE, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE, atëherë KEK mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re. /BetimiperDrejtësi/