Policia e Kosovës ka intensifikuar përpjekjet për të rritur sigurinë në komunikacion, duke angazhuar njësinë rajonale të trafikut rrugor me motoçikleta në rajonin e Prishtinës. Këto patrulla kanë nisur operimin në rrugët nacionale dhe rajonale të zonës, me fokus në parandalimin e aksidenteve dhe identifikimin e kundërvajtjeve, veçanërisht në zonat që më herët janë identifikuar si me rrezikshmëri të lartë.
Sipas njoftimit të Policisë, vetëm gjatë tri ditëve të para të operimit, janë shqiptuar mbi 45 fletëparaqitje për kundërvajtje në komunikacion. Gjithashtu, janë konfiskuar 13 skuterë të paregjistruar dhe janë shqiptuar tiketa për shkelje të tjera si përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, mosrespektimi i dritës së kuqe në semafor dhe mospërdorimi i rripit të sigurisë.
Ky aksion është pjesë e strategjisë së Policisë për të shtuar sigurinë rrugore gjatë sezonit veror, kur qarkullimi në rrugë është më intensiv. Autoritetet policore theksojnë se do të vazhdojnë me këtë qasje proaktive dhe me prezencë të shtuar në terren, për të parandaluar aksidentet dhe për të ndërgjegjësuar drejtuesit e automjeteve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut.