Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka marrë pjesë në aktivitetet që shënuan Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale të lidhur me Konfliktin në Kosovë.
Përpara të pranishmëve, Hargreaves tha se solidarizohet me të gjithë të mbijetuarit, dhe se Mbretëria e Bashkuar mbështet fushatën “Trauma nuk ka afat”.
“Ndihem i nderuar dhe i përulur që po shënoj Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale të Lidhur me Konfliktin, këtu në Kosovë.
Unë solidarizohem me të gjithë të mbijetuarit e guximshëm dhe rezistent, dhe rikonfirmoj mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për fushatën “Trauma nuk ka afat”. Askush nuk duhet të detyrohet të dalë përpara dhe të tregojë historinë e vet brenda një afati të caktuar kohor. Në vend të kësaj, atyre duhet t’u jepet koha dhe hapësira që u nevojitet për t’u shëruar. Dhe ne duhet të mbetemi të përkushtuar për të mos i gjykuar kurrë të mbijetuarit: faji dhe turpi bien mbi autorët e kësaj arme të tmerrshme lufte, e cila ende përdoret në konflikte në të gjithë globin sot” u shpreh ambasadori britanik.