Për herë të 34-të, deputetët do të tentojnë sot në orën 10:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Deri tash, në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të martën, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.
Serish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.