Shfrytëzim Isufi tha se familja i beson organeve të hetuesisë për zbardhjen e rastit të vdekjes së vëllait të tij, disejnatorit Festim Isufi, i cili vdiq të premten e 9 majit në banesën e tij në Prishtinë.
Në një deklarim për Klan Kosova të hënën, vëllai i Festim Isufit tha se familja nuk e fajëson bashkëshorten e të ndjerit, Rina Malokun, për ngjarjen.
“Rina, është pjesë e familjes tonë. Ajo është zyrtarisht ende gruaja e Festimit. Përderisa nuk ka diçka konkrete, ajo ka për të mbetur gjithmonë ashtu”, tha ai, duke i heshtur spekulimet se familja Isufi e ka lënë fajtore bashkëshorten e të ndjerit për ngjarjen e 9 majit.
“Ne e dimë të vërtetën që ai ma nuk jeton, janë tu u marrë policia e prokuoria dhe besoj që shumë shpejt del rezultati”, tha vëllai i Festim Isufit.
Tutje, ai shtoi se Rina e di të vërtetën dhe çkado që e di e ka tregu në prokurori e në polici.
“Na kemi pas komunikim, nuk e dimë sen çka u bo, Rina besoj e di të vërtetën edhe ka fol me prokurorinë”, u shpreh ai.
Shfrytëzim Isufi, i cili jeton në Gjermani, tha se nuk di për asnjë shqetësim që mund të ketë pasur vëllai i tij.
Ai tha se nuk beson që Festimi i ka dhënë fund jetës së tij.
“Na sa e dimë, nuk ka pasur [probleme financiare, v.j]. Normal që në Kosovë dihet që çdokush mund të ketë probleme financiare, ama që të vijë në pikën për të mbytur veten, na nuk e besojmë që ai e ka pasur atë problem dhe nuk e besojmë që ai e ka mbytur veten”, tha ai.
“Dyshime ka shumë njeriu, por në momentin që marrin vesh diçka atëherë dalin publike ato”, tha ai.
Vëllai kujtoi një bisedë të tij me Festimin rreth një muaj para ngjarjes tragjike.
“Në kohën e fundit që kam qenë me të, kam qenë duke vozitur unë me kerr dhe unë voziti paksa jashtë rregullave. Më kujtohet, ai më pati thënë që ‘nëse të është mërzit jeta ty, unë kam qef me jetu hala’”, rrëfeu ai.