Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të II-të për Investime të Qëndrueshme, të organizuar në Prishtinë nga Këshilli i Investitorëve Evropian (EIC) dhe mbështetur nga ProCredit Bank. Në këtë vit, forumi u fokusua në temën “Dekarbonizimi dhe Net Zero: Fuqizimi i NVM-ve për një të Ardhme të Qëndrueshme”, derisa ofron një mundësi unike për të eksploruar rrugën e Kosovës drejt Net Zero dhe rolin kyç që luajnë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM).
Në adresimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës drejt tranzicionit të energjisë së ripërtëritshme dhe përfshirjes së bizneseve vendore.
“Ne jemi të vendosur të mbajmë të njëjtin hap me Evropën sa i përket agjendës së dekarbonizimit, jo pavarësisht nga kufizimet tona, por për shkak të tyre. Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar rinovimin e termocentralit tonë kryesor me qymyr—përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e emetimeve—duke përgatitur terrenin për një zhvendosje më të gjerë drejt energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturës inteligjente”, tha kryeministri Kurti.
Ai njoftoi se për herë të parë pas katër dekadash që nga ndërtimi i termocentralit Kosova B, ka filluar modernizimi i madh i njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve të gjenerimit, me investim prej 56.5 milionë euro, i financuar tërësisht nga KEK-u, pa kredi apo borxh publik. Si rezultat, pritet të ketë 15 megavat shtesë kapacitet prodhimi në vitin 2025, arritje të cilën kryeministri e cilësoi si hap të rëndësishëm drejt sigurisë energjetike dhe llogaridhënies publike.
Shtoi se kërkesa për energji është në rritje globalisht, dhe në Kosovë, vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të dyfishimit të eksporteve dhe qarkullimit të bizneseve të sektorit privat. Kryeministri theksoi se me prodhimtari më të lartë vjen një nevojë më e madhe për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji, ku e njëjta gjë vlen edhe për sektorin tonë në rritje të teknologjisë, i cili kërkon infrastrukturë moderne, të besueshme dhe të shkallëzuar të energjisë për të lulëzuar.
Në anën tjetër, u përmend roli kyç i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në ekonominë vendore, të cilat përbejnë mbi 90% të sektorit privat të Kosovës dhe për të cilat, Qeveria do të ofrojë mbështetje përmes lansimit të instrumenteve mbështetëse.
Në përmbyllje, ai tha se Kosova nuk do ta ecë këtë rrugë e vetme, por do të mbështetet në bashkëpunimin e partnerëve evropianë, fqinjëve rajonalë, diasporës dhe komunitetit ndërkombëtar zhvillimor: “Ne jemi të gatshëm të bëjmë detyrën tonë. Për ata që po ndërtojnë, prodhojnë dhe investojnë për një të ardhme të qëndrueshme: Kosova është pranë jush. Le të ecim përpara bashkë, përgjegjshëm dhe me vendosmëri”.