Një person ka raportuar në polici se më të hënën në qendrën “The Village-Shopping & Fun” në Ferizaj ishte vërejtur një vjedhjen e një laptopi të markës “Apple”, një aparati fotografik profesional “Sony” dhe një hard-disku, që ndodheshin në automjetin e shokut të tij, të tipit Mercedes. Sipas të dëmtuarit, vlera e pajisjeve të vjedhura ishte rreth 6,200 euro.
Njësiti i Hetimeve të stacionit policor të Ferizajt, pas pranimit të informatës, ka verifikuar kamerat e sigurisë, ku është identifikuar automjeti dhe personi i dyshuar R. I, 32 vjeçar, i cili me pas është arrestuar në fshatin Surqinë të komunës së Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës në Ferizaj, ky person e ka pranuar kryerjen e vjedhjes.
“Ai ka deklaruar se pajisjet i kishte shitur te personi, M. B, 32 vjeçar, i cili u gjet në fshatin Babush dhe nga i cili u sekuestruan pajisjet. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili autorizoi intervistimin dhe vendosi për lirimin e të dyshuarve, ndërsa janë iniciuar rastet penale: “Vjedhje e rëndë”, ndaj R. I dhe rasti tjetër ” Pranimi i mallrave të vjedhura” ndaj M. B. Pajisjet e sekuestruara do t’i kthehen të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.