Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti gjatë ditës së sotme Shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity.
Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi përkushtimin dhe angazhimin e palëkundur të Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe rrugën drejt aderimit në familjen evropiane.
“Ai theksoi dhe nevojën e menjëhershme për heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat u vendosën padrejtësisht dhe vijojnë të mbeten në fuqi padrejtësisht, pavarësisht rekomandimit nga ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, rekomandim i cili është dhënë pothuajse një vit më parë tashmë”, njofton zyra e kryeministrit.
Tutje, thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Plecity për takimin dhe bisedën gjersa i uroi qëndrim të mbarë e të frytshëm në Kosovë.