Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, shkruan KosovaNews.
Në qendër të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti rikujtoi se Asambleja Parlamentare e kësaj organizate dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës kanë konfirmuar tashmë se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e saj.

Ai theksoi se avancimi i mëtejmë në këtë proces do të ishte një dëshmi e njohjes dhe vlerësimit të reformave demokratike dhe përputhjes me vlerat evropiane, sidomos në kontekste të ndjeshme politike ku kërkohen vendime strategjike që forcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës.

Kurti paralajmëroi se vonesat në anëtarësim po pengojnë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetet joshumicë dhe grupet e cenueshme, të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut – një mekanizëm mbrojtës i rëndësishëm për të drejtat individuale dhe llogaridhënie.
Në takim u diskutua gjithashtu për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet aktuale në vend./KosovaNews/