Gjykata Themelore ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga një vit e gjashtë muaj burgim efektiv drejtorin e Inspekcionit në Komunën e Skenderajt, Valon Haliti, si dhe inspektorin komunal Zenë Rushiti, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar – një shkelje që përbën formë të qartë të korrupsionit sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktgjykimit të shpallur, Haliti kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe rregullat e mbikëqyrjes ndërtimore gjatë periudhës 13 qershor – 16 gusht 2023, duke lejuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje në rrugën “Emin Lati” nga kompania AndrrA&Sons SH.P.K., pa ushtruar kontroll ligjor dhe duke rrezikuar sigurinë publike.
Në të njëjtën çështje, inspektori Zenë Rushiti është gjetur fajtor për mosveprim në përputhje me përgjegjësitë e tij, duke lejuar vazhdimin e punimeve ndërtimore pa leje përfundimtare. Kjo ka rezultuar me rrëshqitje të dheut, dëmtime në rrugën publike dhe dëme materiale në pronat private të banorëve përreth.
Deklaratë e kontestueshme nga kryetari i komunës
Në kulmin e zhvillimeve, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, doli me një deklaratë publike në mbështetje të kompanisë që kryente punimet pa leje. Ai u shpreh:
“Dheu është hedhur së voni për ata dhe ka rrëshqitur.”
Kjo deklaratë, në kohën kur qytetarët përballeshin me pasojat e dukshme të ndërhyrjeve të paligjshme, u interpretua si përpjekje për të minimizuar përgjegjësinë institucionale dhe për të shmangur mbajtjen e kompanisë përgjegjëse për dëmet e shkaktuara.
Rasti në fjalë është konsideruar një shembull i rëndësishëm i ndëshkimit të korrupsionit brenda institucioneve lokale, duke ritheksuar nevojën për transparencë dhe llogaridhënie në administratën publike.





