Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Çlirim Gëmbeshi, ka ngritur akuza serioze për korrupsion në Komunën e Prishtinës, duke publikuar një video që, sipas tij, dëshmon përfshirjen e zyrtarëve komunalë në veprime të paligjshme, transmeton KosovaNews.
Në videon e publikuar, pretendohet se vëllai i shefit të personelit në Komunën e Prishtinës dëgjohet duke i thënë një inspektori komunal se ky i fundit ka marrë 8 mijë euro për të mos rrënuar një objekt të ndërtuar pa leje në lagjen Kalabria.
Sipas pretendimeve, objekti i përket vëllait të Fadil Aliut, zyrtar i lartë komunal.
“Sa i thellë është korrupsioni në Komunën e Prishtinës e dëshmon kjo video,” shkruan Gëmbeshi në postimin e tij, duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë urgjentisht këtë rast.
Ai shton se ky nuk është një rast i izoluar dhe kërkon një hetim të gjerë institucional, duke theksuar se “korrupsioni dhe kriminaliteti po mbizotërojnë në Komunën e Prishtinës”, e cila aktualisht qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.