Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar krijimin e një qeverie tranzicioni, si opsion për dalje nga ngërçi institucional. Ky propozim ka ardhur në përgjigje të ftesës së liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për bashkëqeverisje me LDK-në, të dërguar një ditë më parë. Abdixhiku ka deklaruar se LDK e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
“Kam marrë një letër nga kryetari i LVV-së. I nxitur nga konsiderata për votuesit të LVV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet. LDK ka garuar me program të qartë. LDK ka garuar me qëndrime të qarta për bashkëpunim politik. LDK e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me LVV-në, por vendi është në krizë të thellë institucionale. Zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK e konsideron të domosdoshme. LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje këkon përgjegjshmëri dhe unitet. LDK propozon fillimisht nisjen e procesit për formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit” – është shprehur ai.
Abdixhiku ka propozuar që kjo qeveri të ketë afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Ai tutje ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë lidhur me ketë ide. Për iniciativën e tij, Abdixhiku ka thënë se ka marrë gatishmëri prej disa liderëve.
“Nuk mund të flasë për partitë e tjera, por kam marrë gatishmëri të disa prej liderëve. Pra po flasim për qeveri nacionale të tranzicionit, të një uniteti të tanishëm të domosdoshëm për Republikën e Kosovës, me afat të shkurt, me kryeministër dhe kabinet unifikues për Republikën e Kosovës deri në zgjedhjen e presidentit” – ka theksuar ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas tij, e ka pranuar idenë për formimin e qeverisë së tranzicionit.
“Zoti Haradinaj sapo më shkroi dhe pranoi një ide të tillë, por duhet ta pyesni atë” – ka thënë ai.
Sipas tij, Kosovës i duhet një kryeministër unifikues, me një kabinet ministrash unifikues e jo polarizues.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër Kryetarit të LDK-së – duke thënë se është i “interesuar” dhe i “vullnetshëm” për koalicion me LDK-në. Në këtë letër Kurti shkroi se pavarësisht dallimeve në bindje politike e në politikat qeverisëse, koalicionet “bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”.
Ftesa e Kurtit për LDK-në ishte bërë në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet në përpjekjen e 11-të.
Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku pas rezultatit të fundit zgjedhor ka paralajmëruar se nuk bëhet pjesë e një Qeverie ku Kryeministri nuk vjen nga LDK, e as të një Qeverie që mund të jetë afatshkurtër – në pamundësi të zgjedhjes së Presidentit të shtetit vitin që vjen.
Por, ashtu siç e ka përmendur vetë Kurti në letrën dërguar Abdixhikut, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës veçse kanë pasë një koalicion Qeverisës, por që për aq kohë të shkurtër sa zgjati, u përcoll me shumë probleme e mospajtime.
Pas Zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, LVV dhe LDK hynë në koalicion qeverisës – si dy parti që dolën e para (LVV 26.27%) dhe e dyta (LDK 24.54%), respektivisht.
Negociatat mes këtyre dy partive ishin zvarritur për muaj të tërë. Gati 4 muaj pas ditës së Zgjedhjeve, tek më 03.02.2020 u votua Qeveria Kurti 1. Në atë kohë pikë diskutimi ka qenë pozita e Presidentit, që e mbante Hashim Thaçi.
Vonesat në formimin e koalicionit sollën edhe situatën ku Vetëvendosje zgjodhi si Kryeparlementar Glauk Konjufcën – pozitë të cilën e kërkonte LDK-ja në atë kohë. Pas gati katër muajsh negociata të shpeshta, koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ishte arritur pa u përmendur çështja e zgjedhjes së Presidentit.
Konjufca ishte lëvizur në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme, për t’i lëshuar rrugën Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur Kryeparlamentare. Lumir Abdixhiku, tanimë Kryetar i LDK-së, në atë kohë mbante pozitën e ministrit të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 1.
Por, koalicioni ishte jetëshkurtër. Më 25.03.2020, 52 ditë pas zgjedhjes, Qeveria Kurti u rrëzua. Kjo pas mocionit të mosbesimit, i thirrur nga partneri i koalicionit LDK. Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte shpallur gjendjen emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenti i asaj kohe Hashim Thaçi kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme – propozim ky që ishte mbështetur nga Veliu, e u kundërshtua nga Qeveria Kurti.
Veçse para kësaj çështjeje, çarja mes koalicionit kishte filluar me propozimin e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Vendimin Qeveria e Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, e kishte marrë zyrtarisht më 31.03.2020, 5 ditë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK në bashkëpunim me AAK-në, NISMA-n dhe Listën Serbe, më 03.06.2020, formoi Qeverinë, të cilën e udhëhoqi ish-zëvendësi i Kurtit, Avdullah Hoti.
Deputeti Haxhi Shala një ditë para votimit të Qeverisë Hoti kishte deklaruar se nuk do ta votonte këtë Qeveri – qëndrim i cili i ndryshoi atij pak pas mesnatës së 3 qershorit, pas vizitës që Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i bënë Shalës në shtëpi. Muaj më pas, djali i Haxhi Shalës ishte emëruar Konsull në Pragë të Çekisë.
Kjo Qeveri u rrëzua rreth 6 muaj më vonë, më 21.12.2020, me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që anuloi Vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, për shkak se kjo Qeveri u votua nga deputeti Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me Vendim të formës së prerë me një vit e tre muaj burgim.
Pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u mbajtën Zgjedhjet parlamentare, që i fitoi LVV me 50.28% dhe formoi Qeverinë Kurti 2 në koalicion me deputetët e partive joshumicë joserbe.
Në ato Zgjedhje Vetëvendosje hyri në koalicion parazgjedhor me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës dhe partinë e sapoformuar nga të pakënaqurit e LDK-së, të udhëhequr nga Vjosa Osmani.
Aktualisht, vendi është në ngërç institucional, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi.
Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.
Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.
Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet, nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.

