Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj deklaroi se arsyeja pse po kërkojnë votimin e fshehtë është për shkak se mund të ketë “deputetw që mund të votojë me vullnetin e tij politik që të zgjedh kryetarin e kuvendit”.
Ai para fillimit të seancës, tha se Albulena Haxhiu do të jetë sërish propozimi i tyre dhe se do të vazhdojnë me votim të fshehtë në këtë seancë.
“Nuk ka ndryshim, sërish do ta kemi kandidaten zonjën Albulena Haxhiu. Sigurisht që votimi i fshehtë nuk është shkelje as ligjore as procedurale. Edhe besoj që do të shkojmë në të njëjtën formë. Subjektet politike tashmë i kanë qëndrimet e veta, unë nuk i kuptoj pse nuk hyjnë në votim të fshehtë. Ndoshta kjo na shtyn në idenë e asaj që ata mund të kenë frikë nga deputetët e tyre, mirëpo unë nuk e besoj këtë”, deklaroi ai.
“Sepse me qenë se janë këta numra të cilët janë tashmë, e që të cilat ju po i shihni, mund të ketë deputet i cili pra vendos me vullnetin e vet për ta zhbllokuar. Sepse subjektet politike kanë qëndrimet e tyre, mbajnë anë, ndoshta në vullnetin e tyre politik mund të jetë ndonjëri i cili pra vendos që ta zgjedh kryetarin e kuvendit, të konstituohet kuvendi në tërësi dhe të vazhdojmë me procedurat e tjera”, deklaroi Rexhaj.
Ai u pyet edhe nëse ka pasur ndonjë takim me partitë tjera politike që të zhbllokohet situata.
“Kjo çështje është e kryetarit tashmë, kryetarit tonë kryeministrit Kurti, i cili besojë që e pati një iniciativë të tillë duke i thirrur liderët që të konsultohet. Kësaj iniciative iu përgjigj vetëm një subjekt politik, siç ishte PDK, kryetari zotëri Krasniqi. Aty nuk u përgjigj LDK, madje e konsideroi si humor. Unë mendoj që duhet të gjenden mënyra, rrugë që të zhbllokojmë këtë situatë “, përfundoi ai.
Para fillimit të seancës, përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstitutim të kuvendit, Rexhaj deklaroi se mund të ketë deputetë që voton ndryshe nga qëndrimi partiak.