Komuna e Prizrenit është renditur në mesin e katër komunave më transparente në nivel të Kosovës bazuar në vlerësimin e bërë nga KDI me partnerët në kuadër të Transparometrit për vitin 2024.
Sipas publikimit të KDI-së, sa i përket transparencës në vitin e shkuar, Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni janë renditur në vendin e parë me nga 95 pikë.
Komuna e Prizrenit për vitin 2023 pat mbledhur 94 pikë, ndërkohë që vjet është përmirësuar për një pikë shtesë.

Pas këtij publikimi, ka reaguar edhe kryetari Shaqir Totaj duke theksuar se Komuna e Prizrenit është renditur e para për transparencë.
“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në partneritet me konsorciumin e organizatave jo qeveritare “Aleanca Qytetare për Transparencë”, ka publikuar Transparometrin Komunal, ku pasqyrohen te gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale për 38 komunat e Kosovës për vitin 2024, ku, sipas këtij vlerësimi, Komuna e Prizrenit është renditur e katërta në nivel vendi apo e para nga komunat e mëdha, që në krahasim me vitin 2022 ka ngritje të jashtëzakonshme”, ka shkruar Totaj.

Komuna e Prizrenit, është vlerësuar në gjithsej 48 indikatorë specifikë, që sipas tij matin elemente të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe përmbushjen e obligimeve ligjore që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien, në raport me qytetarët.
Transparometri për vitin 2024, sipas KDI-së, është rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të transparencës në institucionet lokale nëpërmjet 48 indikatorëve për periudhën janar – dhjetor 2024, ku të dhënat janë marrë nga ueb faqet zyrtare të komunave.