Një person është plagosur sot me armë zjarri në afërsi të ish-objektit të gjykatës në Gjakovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, i cili tha se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
Sipas Graishtës, i dyshuari për këtë ngjarje tashmë është identifikuar, por ndodhet ende në arrati. Policia ka nisur hetimet intensive për ta kapur atë.
“Është një plagosje tek ish-objekti i gjykatës në Gjakovë. Viktima është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari është identifikuar por për momentin është në arrati”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“I dyshuari është në kërkim, pasi që gjendet në arrati. Sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e prezencës së të pandehurit dhe provave në këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Telegrafin.
Autoritetet janë ende në vendin e ngjarjes dhe hetimet janë në zhvillim e sipër.
Gjendja shëndetësore e të plagosurit po përcillet nga ekipet mjekësore./