26 vjet më parë nisën sulmet e NATO-s mbi caqet serbe. Këto sulme ushtarake, që zgjatën për 78 ditë, synonin të ndalonin krimet dhe gjenocidin e ushtruar nga forcat serbe mbi popullatën civile. Mbi 38 mijë fluturime, avionët e NATO-s shkatërruan artilerinë e armikut, derisa ushtria serbe u largua përfundimisht nga Kosova.
U dha lajmi i madh: NATO filloi bombardimet kundër Serbisë. Nga toka, ajri dhe uji, bazat ushtarake dhe objektet strategjike të këtij shteti pushtues u goditën.
Caqet brenda dhe jashtë Beogradit u shkatërruan. Ky intervenim i NATO-së erdhi pasi në Kosovë shkatërrimet e luftës nga paramilitarët serbë u intensifikuan.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër ushtrisë serbe kishte marrë një dimension tjetër.
Megjithatë, shteti serb nuk ishte i kënaqur me krimet e bëra deri në atë moment. Mizoria e krimit të Serbisë mbi popullatën civile u shfaq në masakrën e Reçakut.
Faktori ndërkombëtar humbi durimin nga ajo që po bënte Millosheviçi mbi popullatën shqiptare.
“Sot qëndrojmë së bashku kundër atyre që shkaktuan këtë krim, këtë krim kundër njerëzimit,” kishte deklaruar William Walker, ish-ambasador i OSBE-së.
Por, pavarësisht kësaj, komuniteti ndërkombëtar i dha shansin e fundit Sllobodan Millosheviçit.
Diplomati amerikan Richard Holbrooke u takua për herë të fundit me Millosheviçin në mars të vitit 1999, duke i kërkuar që të pranojë Marrëveshjen e Rambujesë.
Ky i fundit refuzoi kushtet, gjë që çoi në bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë.
Gjatë bombardimit, avionët e NATO-s realizuan 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish dhe Novi Sad.
Prapa aksionit ajror të NATO-s, ndër më të zëshmit që kërkonte të ndalohej tragjedia ndaj shqiptarëve në Kosovë, që shkaktonte Serbia e Millosheviçit, ishte presidenti amerikan Bill Clinton.
Para se të vepronte, ai dha këtë arsyetim para vendasve të tij:
“Ne kemi vepruar që të shmangim zgjerimin e luftës për të çaktivizuar mundësinë e zgjerimit të saj në zemër të Evropës. Luftë e cila ka shpërthyer dy herë më parë gjatë këtij shekulli duke shkaktuar rezultate katastrofike.”
Clinton u kishte treguar amerikanëve se kosovarët meritonin të jetonin të lirë.
Në vitin 1989, lideri i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, ai i njëjti që filloi luftën në Bosnje e Kroaci dhe lëvizi drejt Sllovenisë në dekadën e fundit, ua hoqi autonominë qytetarëve të Kosovës.
Atyre iu ndalua të flasin gjuhën e tyre, të shkollohen dhe të jetojnë jetën e përditshme.
Bombardimet 78-ditore të NATO-s i dhanë fund brutalitetit, masakrave dhe spastrimit etnik të Serbisë mbi Kosovën.
Arritja e Marrëveshjes së Kumanovës njëherësh shënon përfundimin e fushatës së NATO-s më 9 qershor 1999 dhe kapitullimin e kriminelit Millosheviç.
Rreth 800 mijë shqiptarët e dëbuar u kthyen në Kosovë.
Forcat paqeruajtëse hynë në territorin tonë, dhe ato serbe u larguan përgjithmonë


