Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës (DK) kanë nënshkruar sot një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me qëllim të lehtësimit të tregtisë, parandalimit të monopolizimit dhe shmangies së kostove të larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë në tregun e brendshëm.
Kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke siguruar transparencë dhe integritet në këtë proces dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë.
Që nga vendimi i Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë. Me kalimin nga laboratorët privat në laboratorët shtetërorë, është arritur të kursehet ekonomia e Kosovës dhe qytetarët nga kosto të panevojshme prej 1.1 milionë eurosh.
Për më tepër, nga nëntori i vitit 2021, për herë të parë është nisur kontrolli i cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Që atëherë, laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg.
Gjithashtu, është kryer auditimi i katër operatorëve privatë të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje. Pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, ndërkaq MINT vendosi revokimin e licencave të tyre. Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, është parandaluar shmangia tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit.
Me fuqizimin e mëtejshëm të laboratorit shtetëror, janë hedhur bazat për zgjerimin e kapaciteteve të tij, duke siguruar një sistem të pavarur dhe të besueshëm të testimit që i shërben nevojave të tregut dhe qytetarëve të Kosovës, rritjes së cilësisë së produkteve, mbrojtjes së konsumatorit dhe efikasitetit ekonomik.