Avokati i Hekuran Nikçit, z. Arianit Koci, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj klientit të tij, z. Nikçi, dhe ka vendosur masën e arrestit shtëpiak.
Në një deklaratë për media, Koçi theksoi se ky vendim nuk adreson padrejtësitë e procedurës ndaj Hekuran Nikçit, i cili është nën hetim për një çështje administrative që përfshin Ministrinë e Financave dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Ai shtoi se hetimi ka nisur vetëm para 20 ditësh, por mënyra e ngutshme dhe e paarsyeshme e ndalimit të tij ka sjellë lëshime serioze nga ana e Prokurorisë.
Koçi theksoi se në ditën e ndalimit, Kryeinspektori është mbajtur nën mbikëqyrjen e Policisë dhe i është kufizuar liria e lëvizjes, ndërsa nuk i është lejuar të marrë pjesë në një takim të caktuar më herët. Sipas deklaratave të Nikçit, liria e tij është kufizuar që nga ora 09:00, ndërkohë që dokumentacioni zyrtar tregon se ai është ndaluar në ora 10:30. Avokati ka ngritur dyshime se ky kufizim i paligjshëm i lirisë është bërë pa ndonjë vendim të qartë.
Për më tepër, Koci theksoi se Prokuroria ka pohuar se palës së dëmtuar nuk i është mundësuar ankesa për shkak të mungesës së mjetit juridik në vendimin administrativ, duke e bërë të pabazë kërkesën për paraburgim. Ai shtoi se lëshimet procedurale të këtilla janë përgjegjësi e institucioneve përkatëse dhe jo e Kryeinspektorit Nikçi.
Avokati Koci ngriti shqetësime serioze lidhur me trajtimin e këtij rasti, duke e cilësuar si një precedent të rrezikshëm që mund të dëmtojë të drejtat procedurale dhe sigurinë juridike të qytetarëve. Ai paralajmëroi se do të ushtroi ankesë për lëshimet procedurale në afatin e paraparë ligjor.
Në fund, Koci bëri thirrje që ky rast të mos konsiderohet thjesht një rast individual, por një çështje e rëndësishme që ka ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.


