Policia e Kosovës ka sekuestruar sasi të ndryshme të narkotikëve në fshatin Rekë të Mitrovicës.
Pas pranimit të informacioneve të vlefshme nga terreni dhe në asistim të një patrulle policore pranë stacionit policor në Mitrovicë-Jug, bëhet e ditur se është kontrolluar një shtëpi dhe objektet përcjellëse.
“Gjatë kontrollit, si prova materiale janë sekuestruar: 8 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale prej 8.8 gram, 75 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale prej 106.3 gram, 17 fara të bimëve narkotike kanabis sativa, 8 fishekë të kalibrit 7.92×57, 1 peshore digjitale, 1 mulli për bluarjen e marihuanës dhe 1010 euro para të gatshme”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Krimteknika Rajonale, e cila ka realizuar fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e dëshmive. Gjatë kontrollit, i dyshuari nuk ka qenë i pranishëm në shtëpi, por i është lënë ftesë që të paraqitet në polici për t’u marrë në pyetje.


