Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pranë Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve B.Sh dhe M. Q, për veprën penale “Spiunazhi’’.
Sipas njoftimit të fundit nga Prokuroria Speciale, thuhet se për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Prokuroria Speciale.
Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.


