Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka përgëzuar Kosovën për Agjendën e Reformave, duke theksuar mbështetjen financiare të rëndësishme që BE-ja do të japë për të mbështetur këtë proces.
“Ishte kënaqësi të shoqëroja presidenten Von der Leyen në vizitën e saj në Kosovë. Agjenda e Reformave e miratuar së fundmi nga Kosova do t’i mundësojë vendit të përfitojë 883 milionë euro fonde shtesë, për të avancuar drejt zhvillimit socio-ekonomik dhe për të zbatuar reformat me orientim drejt BE-së,” ka shkruar Koopman.
Kjo mbështetje financiare është konsideruar e rëndësishme për Kosovën, e cila po përpiqet të përmirësojë standardet e saj në fusha kyçe si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe të drejtat e njeriut, duke i afruar qytetarët e saj më pranë perspektivës evropiane.
Kujtojmë se gjatë së shtunës, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.


