Koreja e Veriut ka nisur të dërgojë trupa për të luftuar krah Rusisë në Ukrainë, ka thënë agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut, ndërsa Seuli paralajmëroi për një kërcënim të rëndë sigurie.
Pretendimi vjen një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se besonte se 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut mund t’i bashkohen luftës, bazuar në informacionin e inteligjencës.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol bëri thirrje për një takim sigurie të premten dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me “të gjitha mjetet në dispozicion”.
Sipas agjencisë së spiunazhit, 1,500 trupa kanë mbërritur tashmë në Rusi – me burime anonime që i kanë thënë mediave koreano-jugore se shifra përfundimtare mund të jetë më afër 12,000 mije.
Kjo vjen pasi shtohen provat se Koreja e Veriut po furnizon Rusinë me municion, siç u demonstrua së fundmi nga rikuperimi i një rakete në rajonin Poltava të Ukrainës.
Moska dhe Pheniani gjithashtu kanë thelluar bashkëpunimin e tyre muajt e fundit. Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un përshëndeti presidentin rus Vladimir Putin në ditëlindjen e tij, duke e quajtur atë “shokun e tij më të ngushtë”.
Pretendimi nga Shërbimi Informativ Kombëtar vjen disa ditë pasi burime të inteligjencës ushtarake ukrainase thanë se ushtria ruse po formon një njësi të Koresë së Veriut.
Në fillim të kësaj jave, Putin prezantoi një projekt-ligj për të ratifikuar një pakt ushtarak që ai bëri me Kim, i cili zotohet se Rusia dhe Koreja e Veriut do të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast të “agresionit” kundër secilit vend.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut, NIS, tha se trupat e Koresë së Veriut po stërviten në disa baza ruse.
NIS tha se zbuloi se që nga gushti, Koreja e Veriut ka dërguar 13,000 kontejnerë transporti me predha, raketa dhe raketa kundër blinduara në Rusi. Megjithatë, disa ekspertë ushtarakë besojnë se njësitë ushtarake ruse do të kenë vështirësi në përfshirjen e trupave të Koresë së Veriut në vijat e tyre të frontit.
Përveç pengesës gjuhësore, ushtria e Koresë së Veriut nuk ka përvojë kohëve te fundit të operacioneve luftarake, thanë ata.


