Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Gjilan-Prishtinë, ku kanë mbetur të vdekur tre persona.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se në vetaksident që ka ndodhur mbrëmë kanë vdekur tre të rinj e një prej tyre akoma nuk është identifikuar.
Ai njoftoi se pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës bashkë me FSK-në, ku edhe i kanë nxjerrë trupat e viktimave dhe veturën nga Liqeni i Badovcit. Ministri Sveçla ka bërë apel për vozitje të kujdesshme për shmangien e rasteve të tilla.
“Mbrëmë pas mesnatës në një vetaksident gjeten vdekjen tre të rinj, prej të cilëve dy tashmë janë identifikuar. Në vend të ngjarjes menjëherë pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës e cila me ndihmën e FSK-së dhe zjarrëfikësve ka nxjerrë veturën nga Liqeni i Badovcit dhe trupat e të ndjerëve. Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla”, ka shkruar Sveçla


