Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë sot në konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS në 10 vjetorin e themelimit të tij, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit. Në përkrahje të këtij koalicioni, Qeveria ndau sot 100 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Gërvalla ka shpërndarë fotografitë e përbashkëta nga kjo konferencë ku shihet krah Blinken. Ajo ka thënë se terrorizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend në Kosovë.
“Republika e Kosovës tashmë, 25 vjet pas çlirimit të saj, jep kontributin e saj serioz për paqe dhe siguri globale. Terrorizmi dhe radikalizmi nuk kanë vend në shoqërinë dhe shtetin tonë. Prandaj, jam e lumtur për mundësinë e krijuar për të shkëmbyer ide dhe përvoja të vlefshme me kolegë nga rajoni dhe e gjithë bota”, ka shkruar Gërvalla.


