Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se dëshiron t’ia japë komunitetit bektashi në shtet një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit, brenda Tiranës, si mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Lajmi u bë i ditur në një artikull nga prestigjiozja amerikane “New York Times”.
Ky model i Vatikanit, sipas Ramës, lejon që kryeqyteti i Shqipërisë të ketë për Bektashinjtë një hapësirë sa 5 blloqe të New Yorkut. Sipas Ramës në këtë hapësirë do të lejohet alkooli, gratë do të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosen rregulla të stilit të jetesës.
NYT shkruan se nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, enklava bektashie do të bëhej shteti më i vogël në botë dhe në krye do të jetë kleriku bektakshi, Baba Mondi.
“Shteti i tij mysliman i shpresuar në Tiranë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të New Yorkut dhe do të lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës”, shkruan NYT, transmeton “EuronewsAlbania”.
“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, ka thënë Baba Mondi për New York Times, duke shpjeguar se si synon të udhëheqë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë.
Kryeministri Edi Rama ka thënë për New York Times se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Vendodhja përfshin kryeqytetin shqiptar të Tiranës dhe Krujën.
“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi”, ka deklaruar Baba Mondi.
Në intervistë, Rama ka thënë se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë”, ka thënë Rama.
Një mikroshtet i moderuar islamik, sipas tij kryeministri, do të dërgonte mesazhin: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”.
“Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut’, shkruan NYTimes.