Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar sot se gjatë fundjavës kryeministri Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i kësaj partie ka takuar drejtuesit e qendrave të VV-së.
Sipas një njoftimi të kësaj partie, Kurti ka thënë se në javët dhe muajt në vijim i presin punë edhe më të mëdha.
Kurti ka diskutuar me bashkëpatriotët mbi situatën politike dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta që do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.
Në fundjavën që lamë pas, u mbajt mbledhja e rregullt me qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në këtë mbledhje i pranishëm ishte Kryetari i Lëvizjes, kryeministri, Albin Kurti, Sekretari Organizativ, Alim Rama, Koordinatori i Qendrave të Lëvizjes, Salih Zyba, si dhe përfaqësuesit e qendrave tona në Kosovë dhe mërgatë.
Mbledhja filloi me diskutimin mbi situatën politike në vend për të vazhduar me punën nëpër qendrat tona në dritën e zgjedhjeve të rregullta që do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.
Në pjesën hyrëse Kryeministri Kurti ngriti një mori çështjesh organizative, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në dy nivelet organizative, në Pika dhe Qendra të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qendrat tona do të kenë edhe angazhim të shtuar edhe përfshirje më të madhe të anëtarësisë me synim forcimin e organizatës.
Tek situata politike, Kryeministri Kurti foli rreth aktualitetit politik në vendin tonë, por edhe për punët e shumta që janë kryer.
Lëvizja që është duke qeverisur me vendin ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të qeveriset ndershëm, pa krim e korrupsion dhe mund të punojë për shtresat që kanë nevojë më së shumti. Këto vite të suksesshme nuk ishin të lehta, andaj javëve, muajve e viteve në vijim na presin punë edhe më të mëdha si organizatë në mënyrë që sukseset të shumëfishohen.


