Prokuroria Themelore në Prizren, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 18 personave të arrestuar për kontrabandim me migrantë.
Klan Kosova ka raportuar dje për këtë rast për të cilin thuhet se ishte një rrjet trafikantësh me emigrantë. Këta persona u kapën pas pesë muajve të hetimit.
Grupi i mirëorganizuar kishte ndihmën edhe të dy shtetasve sirianë që po ashtu u prangosën.
Të arrestuarit dyshohet se kanë ndihmuar grupe të ndryshme personash nga shtetet e Lindjes, duke i strehuar, ushqyer e më pas transportuar me autobusë drejt Jarinjës në veri, nga rajoni i Prizrenit.
Nga hetimet e kontrollet u morën disa prova materiale, si autobusë, vetura, radiolidhje e armatim.
Gjatë bastisjes një person tentoi t`i pengojë zyrtarët policorë duke iu vërsulur me veturë, për çka u arrestua.


