Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë vazhdon të jetë në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për t’i zgjidhur problemet.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Balaj të komunës së Ferizajt, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij me fjalë të rënda.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pasi i dyshuari ka parë disa mesazhe në rrjetin social Instagram, ku 24-vjeçarja kishte biseduar me një person të panjohur, gjë e cila e revoltoi bashkëshortin e saj i cili iu drejtua me fjalët “unë kam me të kallë, kam me të mbytë”.
Nga frika, 24-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, të cilët kanë kërkuar nga i dyshuari që të paraqitet në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.


