Ushtria izraelite ka thënë se në ditën e dytë të operacionit të saj në Bregun Perëndimor, ka vrarë pesë terroristë të cilët ishin fshehur në një xhami në qytetin Tulkarm.
Ushtria Izraelite këtë ndërmarrje në Bregun Perëndimor e ka quajtur si operacion kundër–terrorizmit dhe ka thënë se kanë gjetur armë nëpër lokacione që shfrytëzoheshin nga grupet e armatosura palestineze, përfshirë një dhomë komanduese dhe një laborator eksplozivësh brenda një xhamie.
Ndërsa Organizata Hamas e ka konfirmuar se gjashtë luftëtarë të saj kanë humbur jetën në Jenin – një nga katër qytetet palestineze të vëna në shënjestër nga ushtria izraelite.
Rreth situatës së fundit në Lindjen e Mesme dhe ndërmarrjen e operacioneve të ushtrisë izraelite edhe në Bregun Perëndimor, ka reaguar edhe Antonio Guteres, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Josep Borrell Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme.
Guteres ka bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të operacioneve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor. Në një postim në platformën X, Guteres ka thënë se zhvillimet e fundit atje janë ‘tejet brengosëse’.
Ndërsa përfaqësuesi i BE-së, Borell ka paralajmëruar për zgjerimin e luftës përtej Gazës.
Ushtria izraelite ka shkaktuar viktima dhe dëmtime të shtëpive dhe infrastrukturës në Jenin, Tulkarm, Nablus dhe Tubas, kanë thënë burimet palestineze.


