Të paktën një duzinë njerëzish u vranë, përfshirë fëmijë, në dy sulme ajrore, të premten, në Gazën Qendrore.
Kështu njoftojnë zyrtarët e spitalit dhe gazetarët e Associated Press, që numëruan trupat.
Sulmet goditën Nuseirat dhe Bureij, dy fëmijë dhe katër gra ishin në mesin e të vrarëve dhe trupat u sollën në spitalin Al Aksa në Deir al-Balah.
Varrimi i 12 personave u mbajt të premten.
Fushata e bombardimeve dhe ofensivave të Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 36,000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 80.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Po sot, të premten, ushtria izraelite tha se përfundoi misionin e saj në një pjesë të qytetit verior të Rripit të Gazës, Jabaliya, dhe do të vazhdojë operacionet në pjesë të tjera të enklavës.
Ushtria tha gjatë operacioneve të saj, në lindje të Jabaliya-t, se vrau qindra luftëtarë, shkatërroi dhjetëra objektiva dhe komplekse luftarake dhe gjeti qindra armë.
Ai tha, gjithashtu, se shkatërroi më shumë se 10 kilometra (6 milje) tunele nëntokësore dhe mori trupat e shtatë pengjeve dhe ua ktheu familjeve të tyre në Izrael.
Trupat izraelite u kthyen në Jabaliya dhe zonat përreth në veri të Gazës në fillim të majit, disa muaj pas një operacioni të mëparshëm. Kombet e Bashkuara thanë se rreth 100.000 palestinezë u zhvendosën në veri të Gazës, pas urdhrave të evakuimit të Izraelit.
Veriu i Gaza-s ishte objektivi i parë i fillimit të ofensivës tokësore të Izraelit, pasi Hamasi dhe militantët e tjerë sulmuan jugun e Izraelit, më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz.
Trupat izraelite kanë rifilluar sulmet në veri pasi Hamasi kthehet vazhdimisht në zonat nga të cilat Izraeli tërhiqet.


