Ushtria izraelite ka thënë të enjten se ka përfunduar një operacion dy-ditorë në Bregun Perëndimor të pushtuar, që sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë palestineze, gjatë tij mbetën të vrarë 12 palestinezë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Ushtria nisi operacionin të martën në qytetin e Jeninit dhe kampin e refugjatëve urban ngjitur, si pjesë e një goditjeje kundër militantëve në zonë, raporton AP.
Grupi militant i Xhihadit Islamik Palestinez ka thënë se luftëtarët e tij luftuan kundër forcave izraelite. “Ndërtesat, rrugët, infrastruktura, e gjithë kjo u shkatërrua në kampin Jenin”, ka deklaruar Abdul Jabbar Shalabi, kryetar i Bordit Administrativ të qendrës rinore të Kampit Jenin.
Grupet militante pretenduan se të paktën tetë nga të vdekurit ishin luftëtarë: një nga Hamasi dhe shtatë nga Brigada e Martirëve Al-Aksa, një degë e armatosur e partisë Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abbas.
Ushtria izraelite nuk bëri të ditur menjëherë detaje shtesë rreth operacionit.
Jenin dhe kampi i refugjatëve urban ngjitur kanë qenë prej kohësh një bastion i luftës së armatosur kundër okupimit nga Izraeli dhe intensiteti i sulmeve nga trupat izraelite është rritur gjatë luftës në Gaza.
Dhuna është rritur në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza.
Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se më shumë se 500 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.


