Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë jashtë Vendit (OPDAT) në Ambasadën e SHBA-së, në Tiranë, mundësoi një takim në Uashington DC mes inspektorit të lartë të Drejtësisë, Artur Metani, dhe drejtuesve kryesorë në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së.
Përmes një njoftimi për shtyp, ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se gjatë vizitës së tij në Uashington DC këtë javë, Metani u takua me Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë Michael Horowitz, zëvendësndihmës prokurorin e përgjithshëm, Bruce Swartz, dhe këshilltarin e Zyrës së Përgjegjësisë Profesionale, Jeffrey Ragsdale.
Zyrtarët amerikanë riafirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në misionin e saj jetik në mbështetje të profesionalizmit, pavarësisë dhe integritetit mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nga ana e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani shprehu mirënjohjen për inkurajimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në drejtim të eficiencës dhe profesionalizmit të ekipit të Zyrës së ILD-së.


