Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara do të votojë pro ndihmës për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin të shtunën, tha kryetari i Dhomës, republikani Mike Johnson.
Ai tha se ndihma për Ukrainën është gjëja e duhur.
“Jam duke bërë atë që besoj se është gjëja e duhur. Mendoj se ofrimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën tani është jashtëzakonisht e rëndësishme. I besoj informatave të Inteligjencës që kemi marrë. Besoj se Xi, Vladimir Putin dhe Irani vërtetë janë bosht i së keqes. Ata janë të koordinuar. Mendoj se Vladimir Putini do të vazhdojë të marshojë përmes Evropës nëse lejohet, mendoj se mund të shkojë në Ballkan më pas”, ka thënë ai.
Një komitet i Dhomës bëri publike legjislacionin që parasheh ndihmë të sigurisë në vlerë prej më shumë se 95 miliardë dollarësh, përfshirë 60.84 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022.