Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne për Betejën e Koshares ka thënë se kjo betejë shpërfaq qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë dhe nuk është vetëm një kapitull në historinë e kombit, por vetë personifikimi i stoicizmit të luftës çlirimtare të UÇK-së.
E para e vendit ka theksuar se luftëtarët e lirisë përkrah aleatëve e NATO-s e në krye me ShBA-në përmbushën misionin për ta bërë Kosovën të lirë.
“Beteja që nisi më 9 prill përfundoi me fitore në mes të qershorit, luftëtarët tonë të lirisë dëshmuan shpirtin vetëmohues dhe përkushtimin për ti dhënë gjithcka atdheut, vlerën më sublime, jetën e tyre. Përkrah aleatëve tanë, NATO-s me në krye me SHBA-në luftëtarët tanë përmbushën misionin për ta bërë Kosovën tonë të lirë. Beteja e Koshares shpërfaq qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të luftëtarëve tanë të lirisë, ajo nuk është vetëm një kapitull në historinë e kombit tonë, por vetë personifikimi i stoicizmit të luftës tonë çlirimtare”, ka deklaruar Osmani.
Tutje Osmani, ka thënë se Beteja e Koshares ishte pikë kthese për popullin kundër regjimit gjenocidal serb teksa ka theksuar se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore.
“25 vjet më parë qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia e tirania e një regjimi gjenocidal. Sot jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të Kosovës. Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Ishte më shumë se rezistencë ishte kryengritje civile për lirinë themelore. Filozofia e mbrojtjes së pragut të shtëpisë u shndërrua në nevojë të mbrojtjes së përgjithshme”, ka vijuar Osmani.
Osmani ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë me përkushtimin e forcimit të shtetit.
“Riafirmojmë përkushtimin që të punojmë fort për Republikën e Kosovës siç e deshën ata që ranë. Lavdi heronjve të Brigadës Agim Ramadani. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, ka përfunduar Osmani.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares e seancën solemne e kanë nisur me një minutë heshtje.


