NATO-ja do të festojë të enjten 75-vjetorin e mbrojtjes kolektive në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e saj të tretë dhe teston rëndë vendosmërinë e aleatëve.
Në një ceremoni të prerjes së tortës në Bruksel, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken dhe homologët e tij do të shënojnë momentin kur traktati themelues i aleancës u nënshkrua më 4 prill 1949, në Washington, raporton AP.
Një festë më e madhe është planifikuar kur udhëheqësit e NATO-s të takohen në Washington më 9-11 korrik.
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billström, po merr pjesë në takimin e parë në nivel ministror që kur vendi i tij u bë aleati i 32-të i NATO-s muajin e kaluar.
Nisja e luftës ruse në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 e çoi Suedinë dhe fqinjin e saj nordik Finlandën në krahët e NATO-s.
Radhët e aleancës pothuajse janë trefishuar gjatë më shumë se shtatë dekadave nga 12 anëtarët themelues të saj, por Finlanda dhe Suedia u bashkuan në kohë rekord për t’u strehuar nën garancinë e sigurisë kolektive të NATO-s.
Ai premtim – neni 5 i Traktatit të Washingtonit, i cili është dërguar në Bruksel për ceremoninë – përcakton se një sulm ndaj secilit prej tyre duhet të përballet me një përgjigje të bashkuar. Në këtë nen është thirrur vetëm një herë, pas sulmeve të Al-Kaidës në tokën amerikane në vitin 2001.


