Policia e Kosovës e ka ndaluar reperin Feronit Shabani, i njohur me emrin e artit “Fero”, nën dyshimin për sulm fizik.
Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes një njoftimi për media të hënën.
“Prokuroria Themelore ne Gjilan, pas njoftimit që në media është duke qarkulluar një video incizim ku shihet një person duke e sulmuar një person tjetër në veturë, në qytetin e Gjilanit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës -Hetuesit në Stacionin Policor në Gjilan, ku të njëjtit edhe e kanë bërë identifikimin e të dëmtuarit dhe të pandehurit, dhe pas intervistimit të tyre me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48-orë i pandehuri F.SH”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari të dielën në orën 17:00 ka kryer veprën penale, “Sulm”.
Fero, siç njihet me emrin artistik, në një video të publikuar të dielën nga Nacionale.com, shihet teksa godet dikë brenda në veturë, e cila tenton të largohet nga vendi.
Nuk dihet se pse ka ndodhur ky shpërthim i Feros, por dhuna qartësisht shihet që ai ka ushtruar ndaj njërit prej pasagjerëve në veturë.
Fero është i njohur për shumë vepra penale, teksa nuk kanë munguar ndër vite përleshjet me njerëz të tjerë.
Madje, një video teksa shihej duke u përleshur me disa persona në një lokal në Prishtine, ishte bërë virale.
Kujtojmë që Fero ishte dënuar për armabjtje pa leje.


