Dy personave u janë vënë prangat nga Policia e Kosovës, pasi ata dyshohet se në dy raste të ndara kanë gjuajtur me armë zjarri në Mitrovicë.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, posa është marrë informata për të shtëna me armë, menjëherë janë ndërmarrë veprime të shpejta policore.
Në njoftim thuhet se në saje të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e të shtënave në ahengje edhe Policia në Rajonin e Mitrovicës, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.
“Gjatë dy ditëve të fundit, njësitet policore në Mitrovicën e Jugut, kanë reaguar në dy lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë në ahengje. Informacione për të shtëna ishin raportuar në rrugën e “Ulqinit” dhe në rrugën “Hekurudha” në Mitrovicë, ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në dy lokacionet të konfiskohen tri armë të llojit pistoleta, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.
Mirëpo sipas Policisë, ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘përdorim i armës’ dhe ‘mbajtje në pronësi , kontroll të paautorizuar të armës’.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje është i sanksionuar me ligj, ndërsa thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë dhe bastisjen e lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët./KosovaNews/
Foto të armëve që ka sekuestruar Policia e Kosovës:





