Franca e ka dëbuar një imam “radikal” i cili bëri “komente të papranueshme” për flamurin e vendit, ka thënë ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin.
Mahjoub Mahjoubi e quajti flamurin francez “satanik” në një video që u bë virale në internet në fillim të kësaj jave.
Darmanin ka shtuar se reformat e imigracionit në Francë kishin mundësuar dëbimin e shpejtë të imamit, raportoi BBC.
Por imami mohon se ka bërë ndonjë gabim dhe ka thënë se nuk kishte për qëllim mosrespektin.
Mahjoub Mahjoubi, i cili vjen nga Tunizia por shkoi në Francë 38 vjet më parë, ishte imam i xhamisë Ettaouba në qytetine vogël Bagnols-sur-Ceze.
Ai u arrestua në fillim të javës pas videos ku thoshte se flamuri francez “nuk ka vlerë tek Allahu”.
Më vonë imami kërkoi falje duke thënë se i shpëtuan nga goja fjalët.
Darmanin ka njoftuar se ai u dëbua në më pak se 12 orë pas arrestimit.


