Gjykata Themelore në Gjilan të mërkurën e ka dënuar me katër vjet e tre muaj burgim të akuzuarin S.L., për kryerjen e veprave penale “lëndim i rëndë trupor”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri me datë 22.03.2023, rreth orës 22:00, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjilan, sipas Gjykatës, për shkak të një mosmarrëveshje për një lloj hyrje – dalje me veturë që kishte mes të dëmtuarit I. M. dhe të akuzuarit, i akuzuari e godet me grushte në fytyrë te nofulla dhe i dëmtuari rrezohet në tokë, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, ku e humb vetëdijen dhe dërgohet për tretman në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Në ditën dhe orën e njëjtë, i akuzuari ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe të dëmtuarve A. M. dhe B. M., pasi që i afrohen afër të dëmtuarit I. M. për ti dhënë ndihmë dhe e pyesin se kush e ka goditë, i akuzuari përgjigjet se unë, dhe në atë moment në drejtim të tij niset i dëmtuari A. M., me këtë rast i akuzuari hynë brenda në lokal dhe nxjerrë revolen dhe nga një distancë prej 4.5 metra shtien dy herë, por nuk godet asnjërin. Me datë 22.03.2023, rreth orës 15:00 në Motelin “Malibu” në Viti, i pandehuri pas autorizim dhe pa leje nga organet kompetente, e në kundërshtim të Ligjit zbatueshëm për armët ka mbajtur në pronësi armën e tipit Gardinov VT”, thuhet në vendimin e Gjykatës.