Mediumi amerikan “Politico” ka publikuar një shkrim në lidhje me atë se si “SHBA-ja e ka shterur Kosovën” dhe se si Ukraina duhet marrë shembull nga kjo.
Gazetari i njohur amerikan Matthew Karnitschnig, që është edhe shef i zyrës gjermane i mediumit “Politico”, ka përmendur projektet e shumta të korporatave amerikane në Kosovë, ndër të tjera edhe ndërtimin e autostradës nga “Bechtel Enka” dhe dënimin me burgim nga Themelorja të ish-ministrit kosovar të Infrastrukturës, Pal Lekaj, që u akuzua për keqpërdorim detyre, për rastin e njohur “53-milionëshi”.
Gazetari ka përmendur rastin e vizitës së vëllait të ish-presidentit të SHBA-së, George Bush, në Kosovë.
Ka treguar se si Neil Bush nuk kishte njohuri shumë për Kosovën, porse kishte ardhur “për të bërë para si pjesë e grupit të udhëhequr nga gjenerali i pensionuar Wesley Clark, që po shikonte të investonte në sektorin energjetik të vendit”.
“Gjatë viteve Kosova ka parë një numër të ‘gjahtarëve amerikanë’ të pasurisë”, thuhet në tekstin e “Politicos”. “Në çdo konflikt në të cilin është përfshirë SHBA-ja në dekadën e fundit, nga Iraku në Afganistan, në Kosovën e vogël, ekipi i ‘pastrimit’ është drejtuar nga America Inc. Megjithatë, me kalimin e kohës, vullneti politik në Washington për të qëndruar i angazhuar në vendet e huaja zakonisht zbehet, pasi biznesi i madh shtrydh atë që mundet me praninë e Amerikës”.
Në shkrim thuhet se si statistikat në dekadat e fundit tregojnë se “SHBA-ja është më e mirë në luftim të luftërave sesa në atë që vjen më pas”.
Ka treguar edhe për largimin e amerikanëve nga vendet e tjera që i çliruan, përfshirë Afganistanin.
Gazetari ka marrë edhe deklarata të ish-ministrave.
“Është një nga misteret më të mëdha: si mundet që një vend si Amerika, i cili vendos burime të konsiderueshme dhe kapital politik për ta bërë Kosovën shtet funksional, të ‘hedhë topin’? “ tha një ish-ministër kosovar, që ka vëzhguar SHBA-në në veprimet në dekada. “Amerikanët sapo e harruan Kosovën”.
Ish-ministri ka folur edhe për veriun e Kosovës.
“Nëse Amerika do me zgjidh problemin në veri të Kosovës, atëherë ajo është zgjidhësja më të shquara të problemeve. Ka mungesë vëmendje dhe ambicie. Amerika mund të bëjë shumë më tepër se kaq. Sëmundja diplomatike ka filluar”, tha ish-ministri.
Në shkrimin e gazetarit Karnitschnig thuhet se si “Ukraina duhet ta shohë si shembull Kosovën”.
“Nëse Kosova është udhërrëfyes, ukrainasit duhet të kenë kujdes me atë që duan”, është shkruar.
Ndërkohë është treguar edhe për dashurinë e qytetarëve të Kosovës për SHBA-në, për monumentet e shumta të liderëve amerikanë që gjenden në Kosovë e po ashtu për familjet që u kanë lënë fëmijëve emra si “Clinton” e “Madeleine”, sipas ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Ka përmendur edhe rastin e “shqyrtimit që Ujmanit të emërtohet Liqeni Donald Trump”.