Drejtori i përgjithshëm i “Telekom Srbija”, Vladimir Luçiq, ka treguar se ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, raporton “RTS” të mërkurën.
Luçiq ka thënë se ka ngritur padi pasi Hetemi “ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ka shkatërruar pronën private dhe me qëllim u ka ndërprerë lidhjen telefonike mobile serbëve.
Luçiq ka thënë se rreth 5000 qytetarë në veri të Kosovës mbetën pa sinjal të telefonisë mobile, pasi u ndërpre sinjali i MTS-së. “Radio Kim” ka treguar se punonjësit e MTS-së kanë tentuar të rregullojnë problemin te antena që gjendej në kulm të objektit të komunës, por i ka ndaluar kryetari Hetemi.
Luçiq ka thënë se dëmi është bërë nga punimet që janë kryer në çatinë e objektit të komunës.
“Ka pasur një ndërprerje të qëllimshme të sinjalit tonë nga operatori tjetër ‘Vala’, të cilit, meqë ra fjala, këta përfaqësues aktual të komunave, të cilët padyshim janë përkohësisht atje, po mundohen të japin sa më shumë leje, për ta mbuluar veriun. Pastaj ai jo vetëm që ndërtoi në komunë përsëritësin, por ndërpreu lidhjen tonë”, tha Luçiq.
Ai tha se defekti “do të korrigjohet sot nëpërmjet rrugëve alternative dhe se qytetarët në veri do të kenë sinjal, porse nuk do të lejojnë që ky incident të harrohet”.
“Kemi bërë kallëzim penal kundër tij (Lulzim Hetemit), sepse e ka keqpërdorur rëndë pozitën e tij zyrtare, ka shkatërruar pronën private dhe me dashje ka ndërprerë sinjalin në celularët e njerëzve, vetëm sepse janë serbë. Dhe ai në fakt ndërpret sinjalin dhe merr pajisje, vetëm sepse ne jemi kompani serbe”, tha Luçiq për “RTS”.
Ai tha se ka njoftuar ambasadat e komunitetin ndërkombëtar, e thotë se shpreson të bëhet presion .