Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka dhënë dorëheqjen nga posti të shtunën pasi shkaktoi zemërimin e publikut, por edhe të një pjese të skenës politike, pasi fali një person që mori pjesë në mbulimin e një rasti pedofilie.
Opozita në Hungari nisi mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e presidentes dhe fushatës iu bashkuan shumë të famshëm. Por kjo s’është më e nevojshme.
Për shkak të presionit në rritje, disa këshilltarë të Novakut dhanë dorëheqjen ditët e mëparshme, ndërsa kryeministri Viktor Orban ka thënë se qeveria do të bënte disa ndryshime kushtetuese për të parandaluar falje të ngjashme në të ardhmen.
Për gjithë situatën ka reaguar edhe Novak, e cila u kthye nga një udhëtim zyrtar në Katar më herët se sa ishte planifikuar dhe iu drejtua publikut hungarez me një deklaratë të jashtëzakonshme.
“Sot iu drejtohem për herë të fundit si presidente e shtetit. Po jap dorëheqjen nga posti i presidentes së Republikës së Hungarisë”, ka thënë Novak.
Në një fjalim televiziv, ajo ka thënë se e mori detyrën e presidentes më herët sepse e do me pasion Hungarinë.
“Unë besoj se njerëzit tanë paqësorë janë plot dashuri. Unë besoj në shumicën e heshtur, ndershmërinë dhe dashurinë”, ka shtuar ajo.
Kjo është hera e dytë në historinë e Hungarisë që presidenti jep dorëheqjen. Përpara Novak, kj Pal Schmitt më 2 prill 2012 dha dorëheqjen për shkak të përfshirjes në një skandal lidhur me plagjiaturën.
Pasi Novak dha dorëheqjen, vendimi i saj do të duhet të konfirmohet nga parlamenti. Presidenti i ri i Hungarisë do të zgjidhet nga parlamenti brenda 30 ditëve nga përfundimi i mandatit të presidentit të mëparshëm.


